Supozohet se trupin e kishin tërhequr zvarrë nga kjo shtëpizë e vogël dhe e kishin varrosur në një varr të improvizuar në mes të një are me misër. Kishin vendosur dërrasat dhe kishin mbjellë misër mbi varr që të humbnin gjurmët.

Rreth orës 4 thuhet nga familjarët që ai e ka çuar lopën për me dalë me kullotë. Pas orës 5:30 ose 6:00, lopa është kthyer për në shtëpi, por është kthyer vetë, pa bari, siç tregojnë këta familjarë.

“Kanë provuar me thirrë në telefon, por s’kanë pasur kontakt”. Kështu e përshkruan kushëriri i tij, Besniku, momentin kur e kanë kuptuar mungesën e Enverit të ndjerë.

“Tani i kanë thirrur ata vëzhguesit e kamerave, përmes shtëpisë së vëllait të tij e kanë gjetur, lëvizja e fundit ka qenë deri këtu te kjo shtëpizë e vogël. Tani, në bazë të atyre pamjeve, kanë kërkuar këtu në terren. Ata djemtë që kanë ardhur, që tha Avnia, kanë kërkuar përmes shtagës. Përmes shtagës, shkopit që e ruan lopën. Tani aty kanë parë që ka zvarritje të kallamoqit, pastaj kallamoqi për tokë dhe sende, dhe përmes atyre kanë shkuar deri te gjurmët e tij, apo e di. Kur e kanë parë dheun e porsacaktuar dhe misrin sipër, ishte mbjellë sikur të kishte qenë prej natyrës”, ka thënë ai.

Duke ndjekur gjurmët e zvarritjes dhe misrin e shkelur, ata gjejnë vendin dhe thërrasin policinë.

“Pastaj, kur e ka hapur varrin rreth 1.5 m, e kanë parë që ka qenë e mbuluar, thuhet që ka pasur dërrasa. I kanë hequr dërrasat dhe kanë parë që është kufomë e njeriut. Pastaj aty kanë ndërhyrë policia dhe forenzika”, vazhdon ai.

Lidhur me këtë rast, në një njoftim për RTK nga Prokuroria Themelore e Prishtinës thuhet se:

“Lidhur me rastin e raportuar të personit të zhdukur në Komunën e Lipjanit, se më datë 04.08.2025 është gjetur një trup i pajetë, aktualisht janë duke ndërmarrë veprime hetimore intensive nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit. Personi është identifikuar si Enver Bajraktari dhe është në proces të autopsisë”.

Ky rast i rëndë ka shqetësuar të gjithë familjen, banorët e fshatit dhe qytetarët e tjerë. Ata presin që ky rast të zbulohet sa më parë.