Në këtë sqarim, Gjykata bën të ditur se, bazuar në nenin 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara. Gjykata thekson se ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese bëhet sipas rregullave të qarta procedurale që zbatohen me përpikëri. Si organ kolegjial, Gjykata Kushtetuese merr vendimet në përbërje të plotë.

Sipas sqarimit, palët para Gjykatës kanë të drejtë të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, dhe Gjykata i trajton ato në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së saj.

Në lidhje me çështjet e ngritura për Gjyqtarin Radomir Llaban, Gjykata thekson se ai ka qenë i punësuar në këtë institucion që nga viti 2011 në pozitën e këshilltarit juridik, dhe që nga 9 gushti 2018 ushtron funksionin e gjyqtarit, pasi ka kaluar të gjitha procedurat kushtetuese dhe ligjore përmes propozimit nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës. Gjykata shton se procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë.

Në përmbyllje, Gjykata Kushtetuese rithekson se, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në Republikën e Kosovës, i trajton të gjitha kërkesat nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, në përputhje me mandatin dhe përgjegjësitë që i janë dhënë me Kushtetutë.