Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për një video ka falënderuar qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në këtë protestë, “Faleminderit Kosovë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kurse Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se “Kosova kërkon drejtësi!”.

E kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se Kosova kërkon drejtësi dhe nuk kërkonë asgjë me shumë se të vërtetën dhe barazi para ligjit!

Sipas tij, Parlamenti nuk e ka kryer detyrën e vet për monitorimin e zbatimit të ligjit për Gjykatën Speciale.

“Para pesë vitesh, u kam propozuar grupeve parlamentare që Parlamenti i Kosovës të shfrytëzojë mundësinë për të kontaktuar institute të pavarura dhe të specializuara, të cilat ofrojnë monitorim profesional. Këto institute, të njohura në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, kanë përvojë të jashtëzakonshme në raste të ngjashme që janë monitoruar më parë në Hagë. Një institut i monitoruar nga Parlamenti do ta kishte rritur besueshmërinë dhe transparencën e punës së Gjykatës dhe do të ndihmonte në parandalimin e shkeljeve të të drejtave të të akuzuarve atje” ka shkruar Limaj.

Tutje ai ka shtuar se si atëherë, ashtu edhe sot, beson se kjo ka qenë dhe mbetet rruga e vetme përmes së cilës një shtet serioz angazhohet me përgjegjësi në mbrojtjen e të drejtave të veta, të cilat rrezikojnë të përmbyten.

“Liri për çlirimtarët – Lavdi UÇK-së!”