Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me protestën në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, duke ngritur pikëpyetje për heshtjen e institucioneve të Kosovës ndaj asaj që ai e quan padrejtësi nga ana e Tribunalit të Hagës.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, në të cilën të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!”
Rama ka shtuar se nëse një hap i tillë ndërmerret nga Kuvendi i Kosovës, atëherë Shqipëria do të veprojë në përputhje me të:
“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet.”
Ai e ka mbyllur deklaratën e tij me një mesazh të qartë:
“Po, Liria ka emër dhe nuk është fajtore.”