REL
India i rrëzoi pesë avionë luftarakë pakistanezë dhe një tjetër avion ushtarak gjatë luftimeve në maj, tha të shtunën shefi i forcave ajrore të Indisë, Amar Preet Singh.
Kjo është hera e parë që një zyrtar indian bën deklaratë të tillë, disa muaj pas konfliktit më të rëndë ushtarak në dekada mes dy vendeve fqinje.
Shumica e avionëve pakistanezë u rrëzuan nga sistemi rus i raketave tokë–ajër, S-400, tha Singh gjatë një aktiviteti në qytetin jugor të Bengalurusë. Ai përmendi të dhëna nga gjurmuesit elektronikë si konfirmim të goditjes së avionëve.
“Kemi konfirmim për të paktën pesë avionë luftarakë të shkatërruar, dhe një avion të madh”, tha ai, duke shtuar se avioni i madh, që mund të ketë qenë avion vëzhgues, u rrëzua nga një distancë prej 300 kilometrash.
“Ky është në fakt shkatërrimi më i madh i regjistruar ndonjëherë nga toka në ajër”, tha ai, duke nxitur duartrokitje nga turma që përfshinte oficerë të shërbimit ajror, veteranë, si dhe zyrtarë të Qeverisë dhe industrisë.
Ushtria e Pakistanit nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Reuters për këtë çështje.
Singh nuk shpjegoi se çfarë lloji ishin avionët luftarakë që u rrëzuan.
Islamabadi, forcat ajrore të të cilit kanë kryesisht avionë të prodhimit kinez dhe avionë F-16 amerikanë, më parë e ka mohuar që India kishte rrëzuar ndonjë avion pakistanez gjatë luftimeve të majit.
Luftimet zgjatën nga 7 deri më 10 majit mes fqinjëve të armatosur me armë bërthamore.
Ndërkohë, Pakistani ka pretenduar se i ka rrëzuar gjashtë avionë indianë gjatë luftimeve, përfshirë një avion luftarak Rafale të prodhimit francez.
India e ka pranuar e kishte pësuar disa humbje, por ka mohuar se ka humbur gjashtë avionë.
Shefi i forcave ajrore të Francës, gjenerali Jerome Bellanger, ka thënë më parë se ka parë prova për humbjen e tre avionëve indianë, përfshirë një Rafale. Forcat Ajrore Indiane nuk kanë komentuar mbi këto pretendime.