Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar sot kandidatët e tri komunave për kryetarë në zgjedhjet e 12 tetorit.
Për Komunën e Leposaviqit është zyrtarizuar Lulzim Hetemi, kryetari aktual, për Komunën e Zubin Potokut, Vedat Mehmeti, kryesuesi i kuvendit komunal në komunë dhe për Komunën e Zveçanit, Fetah Peci.
“Sot, prezantuam kandidatët për kryetarë të tri komunave veriore, të vendosur, të ndershëm dhe të palodhur, që përfaqësojnë vizionin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zhvillim, drejtësi dhe barazi për çdo qytetar”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik.
“Leposaviq – Lulzim Hetemi, që ka ecur çdo ditë në terren, mes njerëzve, duke dëshmuar se guximi nuk është vetëm fjalë, por veprim. Me integritetin dhe vendosmërinë e tij, ai ka treguar se Leposaviqi mund të udhëhiqet me dinjitet dhe me besnikëri ndaj ligjit e qytetarëve. Zubin Potok – Vedat Mehmeti, kryesuesi i kuvendit komunal në komunë, i cili bart vizionin për ta kthyer komunën në një hapësirë ku drejtësia dhe bashkëpunimi me qeverinë janë mjete për zhvillim të përbashkët, jo slogane. Zveçan – Fetah Peci, zëri i qartë i bashkimit dhe zhvillimit, që e njeh mirë Zveçanin. Ai vjen me përvojën e një njeriu që nuk rri mënjanë, por punon për ta thyer izolimin dhe për t’i hapur rrugë mundësive të reja për secilin banor”, thuhet më tej në komunikatën e LVV-së.
Tutje bëhet e ditur se në këtë takim, ku morën pjesë edhe kryeministri në detyrë dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, Sekretari i Përgjithshëm, Alim Rama, Koordinatori i Qendrave dhe deputeti Salih Zyba, si dhe deputetët Armend Muja, Agim Bahtiri e Arjeta Fejza, u riafirmua mbështetja e plotë dhe e parezervë për secilin prej tyre.
“Këta kandidatë janë garancia se në veri do të vazhdojmë të ndërtojmë institucione funksionale, të sjellim investime që prekin jetën e përditshme të qytetarëve dhe të garantojmë qeverisje që respekton ligjin dhe punon për të gjithë. Më 12 tetor, e ardhmja e veriut do të shkruhet me punë, me vizion dhe me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje. Bashkë përpara – për komunat tona, për qytetarët tanë, për të ardhmen tonë”, thuhet në fund të komunikatës së LVV-së.