Sipas aktakuzës A.R., në cilësinë e ekzaminerit në Pejë, në periudhën 18 korrik – 22 shtator 2022, ka ndihmuar kandidatë për patentë shofer duke u treguar pyetjet e sakta gjatë testit teorik, duke mundësuar kështu kalimin e tyre në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas njoftimit, L.G., asistent administrativ në njësinë për patentë shofer në Pejë, më 18 korrik 2022, i ka mundësuar një kandidati të paraqesë testin pa kryer fletëpagesën e re, duke përdorur atë të provimit të kaluar dhe duke i mundësuar kalimin e testit në mënyrë të parregullt.

Ndërsa D.T., A.A. dhe F.T., instruktorë në një auto-shkollë në Deçan, gjatë janarit deri në shtator 2022, kanë plotësuar oraret e trajnimit për kandidatët që nuk kanë qenë fizikisht të pranishëm në Kosovë, duke u mundësuar atyre pjesëmarrjen në provim pa përmbushur kriteret e nevojshme.

“Përveç kërkesës për dënimin e të pandehurve, prokurori i rastit ka propozuar edhe ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike dhe shërbimin publik, si dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit apo detyrës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Pejës thekson përkushtimin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pozitën zyrtare, duke ndjekur penalisht të gjithë personat përgjegjës sipas ligjeve në fuqi.