Autoritetet serbe kanë arrestuar dy shqiptarë në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë në Horgosh, me pretendimin për përfshirje në krime lufte gjatë vitit 1999 në Kosovë, ka bërë të ditur për mediat serbe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Të arrestuarit janë identifikuar si X. E. (1976) dhe B. E. (1973). Sipas deklaratës së Daçiqit, ata u arrestuan menjëherë pas hyrjes në territorin e Serbisë.
“Dyshohet se më 9 gusht 1999, në Rahovec, në bashkëpunim me disa anëtarë të të ashtuquajturës ‘UÇK’, me përdorimin e forcës fizike, armëve të zjarrit dhe kërcënimeve serioze për jetën dhe gjymtyrët, ata rrëmbyen një civil të kombësisë serbe, J. M., dhe e çuan në një drejtim të panjohur, që nga ajo kohë çdo gjurmë e tij është humbur. J. M. ende figuron si person i zhdukur. Të dyshuarve, me miratimin e prokurorit publik të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime Lufte, u është urdhëruar paraburgimi deri në 48 orë, pas së cilës do të sillen në prokurorinë kompetente me një kallëzim penal”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Tash për tash as nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës dhe as nga Zyra Ndërlidhës në Beograd nuk ka ndonjë njoftim lidhur me dy të arrestuarit e raportuar nga pala serbe.