Një kalimtar është goditur për vdekje nga një kamion në Pejë të premten. Shoferi i kamionit është dorëzuar në stacionin policor.
“Sot rreth orës 9:43, policia është njoftuar për një aksident në rrugën ‘Ardian Krasniqi’ në lagjen Dardania. Në aksident të përfshirë kanë qenë një person dhe një kamion me rimorkio. Policia dhe Emergjenca kanë dalë menjëherë në vend të ngjarjes. Mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit derisa trupi i pa jetë është dërguar për obduksion”, ka njoftuar policia.
Rastin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Pejës. Shkodran Nikçi, zëdhënës i këtij institucioni, thënë se shoferi është ndaluar për 48 orë.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë policia dhe Prokurori i Shtetit. Ngasësi i automjetit është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit dhe viktima është dërguar në IML për obduksion”, ka theksuar Nikçi.