Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njofton se ka filluar shkyçjen e kompanive që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë Furnizues të licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Sipas njoftimit, do të bëhet shkyçja e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë.
“Në respektim të njoftimit-vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 13 gusht 2025, KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej Furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja”, thuhet në njoftim.
Më tej, theksohet se “në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani.”
KEDS thotë se inkurajon konsumatorët që “sa më parë të lidhin marrëveshje me një Furnizues të licencuar nga ZRRE, lista e të cilëve gjendet në ueb faqen e ZRRE-së, për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.”