rtsh
Kjo fundjavë gushti ka sjellë një dyndje të madhe automjetesh në Rrugën e Kombit, kryesisht në segmentin nga Rresheni drejt Milotit dhe më tej në drejtim të Lezhës. Pushuesit nga Kosova që vijnë drejt bregdetit të veriut janë përballur me radhë të gjata që kanë nisur që në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Qytetarët shprehen se për të përshkuar vetëm 17 kilometra rrugë u duhet të presin deri në tre orë, duke e cilësuar situatën të papranueshme, pasi pushimet po shndërrohen në një “makth”.
“Kemi me orë të tëra këtu, nuk është situatë normale’
“Kemi mbi 2 orë në radhë dhe jemi bllokuar këtu. Po shkojmë për Velipojë, nuk është situatë normale”, thanë disa nga qytetarët e bllokuar në trafik.
Trafiku i rënduar është një problem i përsëritur në këtë aks prej fillimit të sezonit turistik, por gjendja është përkeqësuar edhe më shumë pas mbylljes së urës së Milotit në fund të korrikut, për shkak të dëmtimeve të konstatuara në strukturë.
Ndërkohë, policia rrugore ndodhet në terren në disa pika problematike për të lehtësuar qarkullimin, por qytetarët kërkojnë një zgjidhje afatgjatë për këtë nyje kyçe të infrastrukturës rrugore.