Pas Hekuran Murati, ndaj deklaratave të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kjo e fundit tha se Tahiri “me amnezi tendencioze, vazhdon të manipulojë me të pavërteta”.
Sipas saj Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës ishte shuar në vitin 2018, gjatë mandatit të Abelard Tahirit si ministër i Drejtësisë.
“Pra Tahiri mbylli mekanizmin shtetëror për dokumentimin e krimeve të Serbisë. Periudha deri më 31 dhjetor 2000 është e propozuar dhe votuar nga qeverisja e PDK-së, në 2011, kur u miratua Ligjin Nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur. Ky ligj përcakton qartë se trajtimi i rasteve të personave të zhdukur mbulon periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo tutje theksoi se më 3 gusht 2015, në Kuvend votuan Dhomat e Specializuara, me juridiksion kohor 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.
“Ligji i hartuar nga Qeveria jonë dhe i miratuar nga Kuvendi, është shumë i qartë dhe nuk lë vend për manipulime. Ai zbatohet për periudhën e luftës, pra nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999. Si përjashtim, hulumtimi dhe dokumentimi ‘mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, por jo më vonë se 31 dhjetor 2000’”, ka thënë tutje Haxhiu.
Sipas saj, kjo nënkupton se boshti kryesor i ligjit është periudha e luftës, ndërsa zgjatja deri më fund të vitit 2000 ka të bëjë vetëm me pasojat e drejtpërdrejta të luftës, siç janë të zhdukurit si dhe viktimat nga minat.
“Çdo interpretim ndryshe është keqinformim dhe shpërdorim politik i tekstit ligjor. Duke mbyllur Institutin për Krimet e Serbisë, duke votuar Specialen që gjykon vetëm shqiptarët, duke miratuar Ligjin për Personat e Zhdukur me afat deri në vitin 2000 dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim, sa ishte ministër, që i shërben drejtësisë për krimet e luftës, është e qartë se kush i ka bërë shërbim Serbisë. Prandaj Abelardi në vend të shpifjes, duhet të japë llogari pse partia e tij ka marrë këto vendime që e kanë lënë Kosovën pa mekanizma shtetërorë për dokumentimin e krimeve të Serbisë dhe kanë hapur rrugën për gjykim selektiv të UÇK-së”, ka nënvizuar Haxhiu.
Abelard Tahiri ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka vendosur për kryeparlamentar tre kandidatë që, sipas tij, mbajnë ‘rekord të zi’ në raport me UÇK-në. Ai ka akuzuar njërën nga kandidatet e propozuara për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun dhe grupin parlamentar të LVV-së se kanë miratuar ligjin për themelimin e Institutit për Hetimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke zgjatur afatin e këtyre hulumtimeve deri më 31 dhjetor 2000.
“Po kush ka luftuar në Kosovë pas qershorit 1999?! Pra, veteranët e UÇK-së mund të ndiqen për krime lufte deri më 31 dhjetor 2000, sipas ligjit të Albulenës – pikërisht ashtu siç do Serbia. Ky është shërbimi më i madh që i është bërë Serbisë”, ka shkruar më herët Tahiri në Facebook.