IDRIZ ZEQIRAJ
Saga kuvendore është ende larg dhe shanset për fundin e saj nuk janë shpresëdhënëse. Pjesërisht, rrjedhojat negative janë shpërfaqur, qoftë në aspektin material, ekonomik dhe më shumë në imazhin dinjitar e moral. BE-ja në vend të “këshillimeve” paushalle, gjithnjë, për të bërë zgjidhje të shpejtë, qofshin ato edhe hiç parimore, të shoqëruara me shantazhime, ashtu siç ngulmon edhe me kërkesën absurde për bërjen e Asociacionit, në favor të Serbisë. Edhe me këtë rast është në të kundërtën e vullnetit të shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre botërorë.
Blofi që bëri BE-ja, kur e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si “sqarim të rëndësishëm”, dëshmon për katrahurën dhe mjegullnajën e saj, duke u thirrur artificialisht në “kompromiset e nevojshme”, edhe pse është rreshtuar gabimisht përkrah opozitës PAN-iste destruktive! Kjo konfirmohet edhe me faktin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është mirëpritur nga opozita, ndërsa është kritikuar nga pozita. Ndërkohë, LVV shkon edhe me larg, duke e konsideruar “vendim arbitrar”. Përkundër, subjekteve PAN-LDK-AAK e vlerësojnë si “fitore kustetuese!”
Gjykata ende nuk e ka bërë të njohur aktgjykimin e plotë të Kushtetutës. Ndërkohë, hamendësimet janë të shumta, për pasojat e mundshme që pritën, nëse nuk arrihet konstituiimi i Kuvendit, respektivisht, zgjedhja e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Hezitimi, ngurrimi dhe belbëzimi i Gjykatës Kushtetuese, të kapur nga PAN-i kriminal, vazhdon të bëjë “fizkultura” me llafollogji boshe, duke i ikur të vërtetës për mënyrën e votimit, edhe pse Kushtetuta e shpjegon qartazi: “Zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit bëhet me votim të hapur, të fshehtë dhe forma të tjera”. Të gjitha interpretimet tjera janë broçkulla, prrallëzime tupëruese për një institucion të lartë shtetëror, siç është Gjykata Kushtetuese.
Interpretimi që Gjykata Kushtetuese i bënë Kushtetutës të Republikës të Kosovës, lidhur me mënyrën e votimit të kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, është skandaloz. Të thuash se vetëm votimi i hapur është i drejtë e ligjor, por jo edhe votimi i fshehtë, është shkelje e rëndë që i bëhet interpretimit paushall dhe hiç ligjor të Kushtetutës.
Tashmë, e keqja ka ndodhur. Gjykata Kushtetuese ka shkelur Kushtetutën, madje “me të dyja këmbët!” Dihet, “prej si ka mbi lisi”, votimi i fshehtë ka pasur prioritetin, parësinë. Dhe, vetë votimi ka lindur mbi bazën e votës së fshehtë. Hileqarë e zuzarë, e kanë degraduar, degjeneruar dhe kriminalizuar votimin bazik, votimin e fshehtë, duke e shpikur formën e çoroditur, krejt të pa drejtë, hiç real -votimin aklamativ, fiktiv, të rrejshëm, me ngritje dore, pra, votimin e hapur-.
Votimi i hapur mendësi e autokratëve
sundimtarë deri në ngordhje!
Votimi i hapur është shpikje e sundimtarëve autokratë, me ambicje të sëmura pushtetare, të ardhur në fron përmes krimeve serike. Dhe, për t`i shpëtuar gjykimit për krimet e bëra, kanë koduar dhe normuar -votimin e hapur-, për t`u zgjedhur, ricikluar dhe qëndruar në fron, pushtet, ndër vite e dekada, madje deri në cofjen e tyre.
Pa u lodhur me gjetjen e sundimtarëve të hershëm, vrastarë e gjakatarë, pushtetarë të përjetshëm, po citojmë disa nga kriminelët në fron në kohët moderne, deri në ngordhjen e tyre: Stalin, Hitler, Enver, Pol Pot dhe shumë të tjerë. Është, pikërisht, votimi i hapur të cilëve ua mundësoi sundimin e pakufizuar dhe të përgjakshëm të përjetshëm. Kjo nuk do të ndodhte, po të bëheshin zgjedhje me votim të fshehtë. Madje, asnjëri syresh nuk do ta gëzonte mandatin e dytë në pushtet. Ashtu siç nuk do të kishin fatin të ricikloheshin në mandate të dyta dhe më tej të inkriminuarit e shumëfishtë Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Isa Mustafa me monsrtumët e sojit të tyre.
Kur kryesuesi i seancës, Astrit Dehari, shfrytëzoi të drejtën kushtetuese, për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, menduam se erdhi koha për ta stopuar formën ultra komuniste “zgjedhore” me votim të hapur, votim që ka fashistizuar jetën politike në Kosovë. Votimi i hapur u ka mundësuar eksponentëve të krimit të gëzojnë krye poste partiake, deputetë, ministra, kryetar të shoqatave e deri Kryeministra, kryetarë Kuvendi dhe Presidentë! Pra, votimi i fshehtë do ta pastronte jetën politike nga krimi dhe kriminelët.
Lëvizja Vetëvendosje, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, e cila e konfirmon të drejtën e votimit -të hapur, të fshehtë dhe në forma të tjera-, për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, ka plotësisht të drejtë ta kundërshtojë -“vendimin arbitrar”, siç e ka cilësuar LVV, për mohimin e votimit të fshehtë. Ky është provokim i hapur, skandaloz dhe i poshtër, i cili vërteton katërçipërisht se kjo Gjykatë, stafi i saj mono-etnik i Pronto mafisë të PAN-it, i emëruar nga ai, për t`i shërbyer atij, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve, përmes klauzolës se “mënyra e votimit duhet përcaktuar në nismë të seancës”, e vënë nga vetë ata, cinikisht e poshtërsisht, për ta përdorur sipas nevojave, interesave të tyre.
Shqiptarët e Kosovës, ata të Shqipërisë londineze, s`i dhe shqiptarët në trevat tjera ballkanike, kanë vuajtur komunizmin dhe fashizmin stalinian jugosllav, grek dhe shqiptar të filo-sllavit Enver Hoxha, e vazhduar edhe pas 12 qershorit 1999, nga bijtë e saj bastardë shqipfolës, argatë të shteteve armike të Kosovës, përgjakës të burrave dhe djemve, luftëtarë për liri dhe demokraci.
Të joshur nga dogma satanike të komunizmit dhe e fashizmit klasik, eksponentët nostalgjikë, kanë shtuar klauzola “ligjore”, për ta vazhduar pushtetin e tyre, me disa retushime, -me gojën plot demokraci-, por duke ngulmuar në mënyrën e vjetër të votimit të hapur, i cili në raport me votimin e fshehtë, në themel ka vazhdimësinë komuniste dhe fashiste. Është anakronike dhe paradoksale kur këtë dogmë të stërkequr e mbronë edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës, Prof. Dr. Arsim Bajrami, kuadër i PAN-it kriminal! E turpshme dhe kriminale deri në skajmëri!
Frika nga VETTING, BYROJA dhe pazaret
e pista me Serbinë, penalizojnë PAN-in!
Brezi i ri i Kosovës, aktualisht, i përfaqësuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kjo dëshmohet me votimin masiv të tyre, kërkojnë ligjshmëri e drejtësi, të pranuar edhe nga Kushtetuta vendore, siç është edhe e drejta e votimit të fshehtë e demokratik. Për vite me radhë vazhdon të bllokohet VETTING-u, BYROJA e Verifikimit të Pasurive të Paligjshme, që prekin, kryesisht, kriminelët vrastarë dhe hajnat zyrtarë, e zbutur me terminologjinë e huaj -korrupsion-. Dhe, Shtetet e Quintit, BE-ja bëjnë sehirxhiun, sikur nuk po ndodhë asgjë. Madje, në të shumtën e rasteve, i mbështetë të inkriminuarit të PAN-it! Pikërisht, si rrjedhojë e kësaj përkrahje, bojkotuesit trimërohen dhe bllokojnë zgjedhjen e organeve kuvendore, për muaj me radhë.
Përgjigja prepotente, mujshare, deri në cinizëm e rrugaçëri e Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen të paligjshëm të -votimit të fshehtë-, pa u marrë me pikat tjera të renditura në përgjigje, nuk jep asnjë ndihmë, asnjë zgjidhje të ngërçit. Kjo është një “krizë” e krijuar artificialisht nga opozita e koalicionuar jashtëligjshëm pas zgjedhjeje. Ky koalicion kishte qëllim të përcaktuar paraprakisht, bllokimin e konstituimit të Kuvendit, me synim grabitjen në tavolinë, të fitores të Vetëvendosjes. Dhe, kjo, ndonëse e bërë me paramendim dhe në koordinim të opozitës, me Gjykatën Kushtetuese, krijesë ekskluzive e PAN-it, acaron klimën politike në skajshmëri.
LVV me partneret e saj GUXO dhe ALTERNATIVA, LDK dhe disa parti të vogla të pa inkriminuara, të cilat nuk prekën nga Vetting-u dhe Byroja e Verifikimit të Pasurive të Paligjshme, të bashkohen për ta tejkaluar krizën, tashmë, reale, për pastrimin e Sistemit të Drejtësisë dhe zbatimin korrekt të Kushtetutës së vendit. Në rastin konkret, votimi i fshehtë ta fitojë qytetarinë, duke qenë parësor në të gjitha votimet, e çfarëdo natyre qofshin, për ta stopuar revanshizmin e komunizmit dhe të fashistizimit të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë.
Praktika ka provuar se qeveritë e arnuara, nuk janë zgjidhje e mirë. Ndoshta, LVV është dashur të mendojë me kohë, për një partner fisnik, shumësi absolute. Ajo veproi mençurisht, kur anashkaloi PAN-in kriminal, qoftë edhe Limaj. Sepse një lugë kos, tharton një kazan qumçusht! Përndryshe, është detyrë, për ta ndihmuar reformimin, pastrimin, deri në riformim të subjekteve të kriminalizuara. Dhe, kjo barrë u bie LVV me partnerët e saj, GUXO, ALTERNATIVA si dhe LDK, e cila ka -njëmijë e një arsye-, për t`i pensionuar politikisht disa “komandantë” PAN-istë rrast të inkriminuar.
Realisht, nuk është problemi ke Albulenë Haxhiu, një luftëtare e pa kompromis për -ndryshimin- e madh, duke i shporrur kriminelët dhe hajnat zyrtarë nga pushteti, përmes një opozitarizmi të vrazhdë. Ajo është femra më e votuar në Kosovë, me tej 150 mijë vota. Albulenë Haxhiu dhe Donikë Gërvalla, ishin dy veprimtaret e shquara për demokracinë. Ato, guximshëm, i dhanë -krimit emër-, gjë që zgjoi reagimin e ashpër të mbrojtësve të krimit dhe të kriminelëve.
Subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, janë, jetësisht, të interesuara ta politizojnë “fenomenin Albulena”, duke e akuzuar si “përçarëse”, si shkas për mos pranimin e kandidaturës të saj për kryetare të Kuvendit, më saktë, për bllokimin e Kuvendit. Nëse ajo e quajti ish-kryeparlamentarin -kriminel-, kjo ishte -një e fshehtë publike-, sepse ai ishte në krye të një organizate ilegale kriminale, e përfshirë gjerësisht në vrasjet e kundërshtarëve politikë, ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, të kuadrove dhe të veprimtarëve të LDK-së, të veprimtarëve të hershëm të LPK-së, për të shmangur konkurrencën pushtetare në pritje. Të gjitha këto krime të konfirmuara edhe nga gjykatat vendore e ndërkombëtare. Rrjedhimisht, Albulena nuk ka shpikur asgjë të re dhe deklarimi i një të vërtete, nuk është shpifje.
LDK-ja, përkatësisht, klani i Isa Mustafës, gjithnjë aktiv në strukturat e partisë, i lidhur fort me PDK-në, është bërë pjesë e saj, duke i rehabilituar eksponentët e saj kriminelë me kartelë, tashmë, pjesë e Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale. Ndërkohë që ata flasin në emër të LDK-së, elektorati, anëtarësia dhe shumësia absolute e strukturave të partisë, janë kundër kalaveshjes pas PDK-së, të disa kuadrove të LDK-së.
Çuditërisht, me gjithë abuzimet e mëdha me buxhetin e Kosovës, barrë e panevojshme e tij, 45.500 veteranë të rrejshëm, për të cilët deri me tani janë shpenzuar 206 milionë euro; vetëm në 7 (shtatë) vitet e fundit janë paguar për Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, 276 milionë euro!
Gjykata Kushtetuese, duke urdhëruar vazhdimin e votimit të hapur në Kuvend, u tall keqas me shqiptarët. Refuzimi i pritshëm i këtij vendimi marroq, që shkelë Kushtetutën, e dërgon vendin në zgjedhje. Askush nuk merakoset për milionat e procesit zgjedhor. Madje, ka zëra nga opozita se nuk duan bashkimin dator të mbajtjes të dy palë zgjedhjeve, qendrore dhe lokale, duke bërë ca llogarira, sikur favorizohet LVV.
Politikanë e deputetë mendjen e kanë tek zgjedhja e Presidentit. Një shtet, një shoqëri serioze dhe atdhedashëse, nuk do të mendonte për një emër tjetër në Presidencë, sepse përfaqësimi i Dr. Vjosë Osmanit është domethënës. Vërtet, aktualisht ajo është pa parti. Shqiptarët nuk janë francezë, siç e zgjodhën Makronin e pavarur. Megjithatë, duhet të jenë të përgjegjshëm, për hirë të interesave të vendit.
Kosova në hall me politikanët e saj!
Opinion i pavarur, nuk përfaqëson qëndrimet e Kosova Times