Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë në rajonin e Gjilanit, me fokus në identifikimin dhe asgjësimin e kultivimit të substancave narkotike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Fadil Hoti, ka theksuar se gjatë këtij operacioni janë zbuluar disa sera të pajisura posaçërisht për kultivimin e drogës.
Si rezultat i aksionit, sipas tij, deri tash janë arrestuar tre persona të dyshuar dhe është sekuestruar një armë zjarri.
“Operacioni është ende në zhvillim e sipër. Një rol kyç në këtë aksion ka pasur Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, e cila ka ndihmuar në identifikimin e të dyshuarve dhe të lokacioneve ku është zhvilluar aktiviteti i jashtëligjshëm”, ka deklaruar Hoti për mediat.
Policia njofton se hetimet do të vazhdojnë me intensitet.