Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, u mirëprit në një audiencë private nga Shënjtëria e Tij, Papa Leo XIV. Ky takim përfaqëson një përvojë të veçantë shpirtërore dhe frymëzuese, gjatë së cilës u shkëmbyen mesazhe të urtësisë, paqes dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor.
LDK-ja njofton se në këtë takim, u theksua rëndësia e vlerave universale si respekti, solidariteti dhe dialogu mes popujve e besimeve, duke reflektuar përkushtimin e përbashkët për një botë më të drejtë dhe më humane.
“Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, Quni i dhuroi Papa Leo XIV një pikturë të Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, figurë emblematike e paqes, vizionit dhe udhëheqjes së urtë. Ky gjest simbolik u prit me vlerësim të lartë, duke kujtuar kontributin e Rugovës për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës” thuhet në njoftim.
LDK e vlerëson lart këtë mundësi të rrallë për të forcuar lidhjet me Selinë e Shenjtë dhe për të riafirmuar përkushtimin e saj ndaj vlerave humane, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut ndërfetar.