Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me iniciale B.D., për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, lidhur me një ngjarje të ndodhur më 23 mars 2025 në qytetin e Vushtrrisë.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, në rrugën “Galip Badivuku”, ku i pandehuri B.D. dyshohet se me dashje e ka privuar nga jeta viktimën me iniciale A.Z., duke e qëlluar tri herë me armë zjarri në trup.
“Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka pësuar dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi, duke sjellë gjakderdhje të brendshme dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratore, dhe ka ndërruar jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria thekson se, përveç humbjes së jetës së viktimës, nga të shtënat është rrezikuar edhe jeta e kalimtarëve të tjerë, për shkak se ngjarja ka ndodhur në një zonë publike.
Gjatë arrestimit të të pandehurit, organet e rendit kanë sekuestruar armën e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer vrasja. Arma ishte në posedim të paautorizuar, në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L -022 për Armë.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe të dënohet sipas ligjit në fuqi.