Sipas saj, Kuvendi ka legjitimitetin dhe kapacitetin e nevojshëm për të ushtruar mandatin e tij, pavarësisht mosmarrëveshjeve që kanë lindur për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e pakicës serbe.

“Situata nuk është ideale. Ne jemi të vetëdijshëm që nuk është ideale. Ideale do të ishte që Kuvendi të arrinte të zgjidhte Nenad Rashiqin si nënkryetar të Kuvendit, dhe po të merrte pjesë opozita, e disa po të votonin për, unë mendoj që Rashiq do të ishte zgjedhur si anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Por kjo nuk ndodhi, nuk i gjetëm 6 deputetë sa nevojiteshin,” u shpreh Haxhiu.

Ajo theksoi se pavarësisht këtyre rrethanave, puna e Kuvendit nuk duhet të ndalet, pasi institucioni ka bazën për të funksionuar normalisht.

“Por në këto rrethana ne duhet të jemi të qartë, ne duhet të vazhdojmë. Kuvendi ka legjitimitetin dhe kapacitetin për të ushtruar mandatin e vet. Sepse përveç kryetarit të Kuvendit janë edhe katër kryeanzat që janë zgjedhur. Nëse vetëm një ta kishim prej tyre, do të mund ta mbanim mbledhjen e Kryesisë, sepse nevojiten 4 anëtarë që mbledhja të vazhdojë. Ne nuk duhet që të ndalim punën e institucionit më të lartë përfaqësues të Kosovës, pra Kuvendit. Nuk mund që ky Kuvend të mbetet peng i Listës Serbe,” tha ajo.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar mbajtjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm, ku do të votohet kandidatura e Albin Kurtit për mandatar të Qeverisë së re. Pas votimit, emri i tij do t’i dorëzohet Presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

E Albulena Haxhiu, e pyetur nga gazetarët lidhur me formimin e qeverisë, tha se partia tashmë po ndërmerr hapa konkretë në këtë drejtim.

“Ne kemi thënë edhe në seancën e fundit konstituive që do t’i shikojmë mundësitë që ta bëjmë këtë. Na duhet paraprakisht që ta kemi një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, ku e votojmë mandatarin dhe pastaj Arbërie Nagavci si kryesuese e KP ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani. Mandej presim që presidentja Osmani të punojë në këtë drejtim, pikërisht në emër të funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës,” deklaroi Haxhiu.

Ajo shtoi se kjo mbledhje do të jetë e jashtëzakonshme dhe do të mbahet shpejt, për shkak të rrethanave politike aktuale.