Ky hap po shihet një nga më të rëndësishmit në konsolidimin e sovranitetit dhe sigurisë në Kosovë, por edhe në integrimin e ushtrisë tonë në NATO.

E që Kosova të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike, nevojiten investime të mëdha në armatim e personel.

Lidhur me këtë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një përgjigje me shkrim ka treguar se mbi 300 milionë euro janë shpenzuar për blerjen e sistemeve të armatimit, rekrutimin, trajnimin dhe edukimin e personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Mbi 320 milion euro janë shpenzuar në blerje të armatimeve kurse miliona të tjerë në edukimin dhe trajnimin e personelit dhe ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës. Si armatimet ashtu dhe profesionalizimi i personelit por dhe doktrina e proceset e planifikimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK bëhen nga vendet e NATO-s dhe në përputhje me standardet e vendeve të NATO-s, kjo patjetër që ndikon në përafrimin e Kosovës me NATO, ashtu siç ndikon edhe fakti që vendi ynë është kontribues aktiv i Grupit te Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës si pjesë e përpjekjeve tjera të NATO-s për paqe dhe siguri globale. Republika e Kosovës dhe kapacitete e saja të mbrojtjes çdo ditë e më shumë po shihen si kapacitete kredibile dhe profesionale të denja për të qenë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të NATO-s”, ka deklaruar ministri.

Maqedonci tha se përpjekja e vazhdueshme e Kosovës është anëtarësimi në NATO.

“Kosova duhet të vazhdoj investimet për mbrojtjen jo vetëm për faktin e ndryshimeve globale më saktësisht kërcënimeve që vijnë nga akterë dashakeqës global e regjional por edhe për faktin që aspirata jonë për integrim në NATO duhet të përkthehet me angazhime duke përfshirë rritje buxheti e rritje investimesh”.

Në kuadër të kësaj, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci thotë se në një botë ku tensionet dhe kërcënimet po rriten dita-ditës, është thelbësor investimi në ushtri dhe angazhimi që të bëhemi pjesë e NATO-s.

“Duhet të investojmë në ushtri gjithmonë duke pasur parasysh ndërrimet e mëdha që ndodhin në botë. Kemi një luftë në Ukrainë kem pas kriza të një pas njëshme Lindjen e afërt, andaj RKS është me standarde të NATO duhet t’i përcjell standardet e NATO-s dhe assesi nuk duhet të stagnojë në rrugë për anëtarësim në NATO sepse veç se jemi të përafruar…” , ka thënë ai.

Aranzhimet që Kosova po bën me SHBA-në, si dhe marrëveshja e fundit për mbrojtjen ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, përfaqëson një element thelbësor të Forcës së Sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Kështu deklaroi drejtori i Institutit “OCTOPUS”.

“Janë indikatorët kryesor për një transformim të suksesshëm të FSK si forca mbrojtëse e Republikës së Kosovës e cila është faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në BP gjithmonë kur kemi parasysh ambiciet e vazhdueshme nga Serbia kundër Kosovës dhe në përgjithësi të planit të saj për botën serbe dhe Ballkanit Perëndimor…” , ka thënë Fetoshi.

Tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës pritet të përfundojë në vitin 2028, që përfshin edhe fazën e fundit gjithëpërfshirës të saj.