“Me përulësi dhe nderim të thellë, mëngjesin e sotëm, bashkë me nënkryetaren znj. Albulena Haxhiu, e filluam me homazhe në Prekazin e lavdisë mbarëkombëtare, vendin ku liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të Familjes Jashari”, shkroi Basha në një postim në Facebook.

“Heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut”, tha ai.

Pas homazheve në Prekaz, kryetari i Kuvendit vazhdoi me nderime te varri i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili, siç theksoi ai, “e kishte të qartë se kompromisi i vetëm ishte Pavarësia – dhe asgjë më pak”.

“Më tej, nderimet i vazhdova te varri i Bacës Adem Demaçi, një nga pishtarët më të ndritshëm të lirisë, shembull i një qëndrestari të paepur i cili guxoi gjatë tërë jetës së tij. Burgimi i tij shërbeu si simbol i rezistencës për popullin tonë, që pastaj u vlerësua edhe me Çmimin Sakharov, ndarë nga Parlamenti Evropian në vitin 1991”.

“Homazhet i përfunduam te Memoriali “Heroinat”, ku përkujtojmë mbi 20,000 gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës nga regjimi fashist i Millosheviqit. Dhunimi ndaj tyre u përdor si armë lufte kundër popullit tonë dhe kjo mbetet një nga plagët më të rënda. Nderimi ynë për to është i përjetshëm, ndërsa kjo plagë nuk mund të shërohet asnjëherë derisa të arrihet drejtësia e plotë”, ka shkruar Basha.

“Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuesit e lirisë sonë. Është obligim dhe detyrë e jona e përhershme që ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan me veprat e tyre”, përfundoi ai..