Skena horror u zhvilluan mbrëmë në Lisbonë kur teleferiku ikonik “Gloria” doli nga shinat dhe u përplas, duke vrarë të paktën 15 persona dhe plagosur 18 të tjerë . Midis të plagosurve është një fëmijë, ndërsa të paktën pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë, sipas qendrës kombëtare të emergjencave të Portugalisë. Sot është shpallur ditë zie, me shoqërinë portugeze në shok.
Videot që qarkulluan në mediat sociale treguan teleferikun të përfshirë nga tymi i dendur, ndërsa zjarrfikësit dhe civilët përpiqeshin të nxirrnin njerëzit e bllokuar në metalin e thyer. Sipas dëshmitarëve okularë, vagoni u përplas përtokë disa metra larg pikës së daljes nga shinat.
“Njerëzit brenda ishin të frikësuar dhe ne vrapuam për të ndihmuar. Pak më vonë, pamë se teleferiku ishte jashtë kontrollit, pa frena, dhe të gjithë filluam të iknim sepse menduam se do të na godiste. Më në fund ra në kthesë dhe u përplas në ndërtesë”, tha një dëshmitar për CNN Portugal, duke shtuar se shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje brenda pesë deri në dhjetë minutash. Të tjerë raportuan se panë qytetarë duke u ngjitur nëpër dritare të thyera ndërsa përpiqeshin të dilnin nga automjeti.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë publikuar informacione rreth identitetit apo moshës së viktimave, por ato deklaruan se midis të vdekurve ishin katër të huaj.
Konkretisht, Thiago Augusto, kreu i shërbimeve të emergjencës, tha se midis viktimave që u shpëtuan kishte turistë të huaj, pa specifikuar kombësinë e tyre.
Ndërkohë, shkaqet e aksidentit mbeten të panjohura.
Kryebashkiaku i qytetit, Carlos Moedas, i tha më vonë faqes së lajmeve Diario de Noticio: “Lisbona është në zi. Është një tragjedi që nuk ka ndodhur kurrë në qytetin tonë. Këto janë kohë kur e vetmja gjë që nevojitet është veprimi dhe solidariteti. E tëra çfarë mund të them është se sot është një ditë tragjike.” Moedas vlerësoi gjithashtu reagimin e zjarrfikësve, të cilët morën “alarmin në orën 18:08 dhe mbërritën në vendin e aksidentit në orën 18:11”. “Fatkeqësisht, është shumë serioz. Është një aksident që nuk duhej të kishte ndodhur”, vuri në dukje ai.
Presidenti portugez shprehu trishtimin dhe ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, ndërsa bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm për shkaqet e aksidentit.
Presidenti i vendit, Marcelo Rebelo da Sousa, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të tragjedisë, duke shtuar se shpresonte që autoritetet të përcaktonin së shpejti shkaqet e aksidentit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu keqardhjen e saj në një postim në portugalisht në platformën X.

Atraksion historik
Linja e teleferikut ” Glória ” filloi punën për herë të parë në vitin 1885 , duke lidhur sheshin Restauradores me Bairro Alto (i njohur për jetën e natës). Teleferiku është një atraksion i njohur i qytetit për shkak të ndërtimit të tij të vjetër dhe madhësisë së vogël, gjë që i lejon të përshkojë rrugët me kalldrëm, duke transportuar rreth 40 pasagjerë.
Dy teleferikët (ai që lëviz lart dhe ai që lëviz poshtë kodrës) lëvizin paralelisht për disa qindra metra, duke e bërë rrugën e ngushtë përkohësisht të paarritshme për këmbësorët dhe automjetet.
Teleferiku i dytë nuk u prek nga aksidenti, megjithatë videot e kapura nga pasagjerët e tij e tregojnë atë duke u dridhur me forcë dhe duke hapur dyert pa u ndalur në mënyrë që qytetarët ta braktisin atë, shumë prej të cilëve tashmë kishin kërcyer nga dritaret në rrugë.

Kompania e transportit publik Carris, e cila menaxhon teleferikët e Lisbonës, lëshoi më vonë një deklaratë duke pretenduar se “të gjitha protokollet e funksionimit dhe mirëmbajtjes ishin ndjekur siç duhet, duke përfshirë servisimin mujor dhe inspektimet ditore”.
Linja “Gloria” transporton afërsisht 3 milionë pasagjerë në vit, sipas të dhënave të bashkisë.
Ursula von der Leyen shprehu ngushëllimet e saj familjeve të viktimave në X.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se ishte “i tronditur nga aksidenti i tmerrshëm”, ndërsa Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani shkroi në X se ishte takuar me Ministrin e Jashtëm portugez dhe shprehu “solidaritetin e tij me viktimat”.
Gjatë dekadës së fundit, Lisbona ka përjetuar një bum të jashtëzakonshëm turizmi, me vizitorë që dynden në qendrën e njohur të qytetit gjatë muajve të verës.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Britanike tha se ishte në kontakt me autoritetet lokale dhe ishte gati “të ofronte ndihmë nëse midis viktimave ka shtetas britanikë”.
Sipas të dhënave, Britania është vendi më i rëndësishëm i origjinës së turistëve në Portugali, e ndjekur nga Gjermania, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara.