Prokuroria Themelore në Pejë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në këtë qytet dhe institucione të tjera relevante, ka ndërmarrë një operacion të gjerë në disa lokacione dhe komuna të ndryshme.
Lajmin e ka bërë të ditur për RTK zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Aksioni është ende në zhvillim e sipër. Në këtë operacion janë të angazhuar nëntë prokurorë të shtetit, përfshirë edhe Kryeprokuroren, si dhe mbi 60 zyrtarë policorë dhe inspektorë të institucioneve të tjera”, ka deklaruar Nikçi.
Ai ka shtuar se për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, në këtë fazë nuk mund të ndahen më shumë informata, deri në përfundimin e aksionit.