Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar mbajtje ane dhe në kundërshtim me funksionalizimin e Kuvendit vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot ka njoftuar se ka vendosur masën e përkohshme në rastin nr. KO265/25, duke ndaluar çdo veprim të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë deri më 30 shtator 2025.
“Gjykata Kushtetuese pezulloi Kuvendin për 25 ditë për ankesën e Listës Serbe
Sot Gjykata Kushtetuese mori vendim për masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe.
Çdokush do të pyeste me të drejtë pse u pa e nevojshme kjo masë e pse i nevojitet Gjykatës Kushtetuese 25 ditë pezullim i punës së Kuvendit pas një kërkesë të Listës Serbe?
Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, thuhet nëreagim.
Tutje Vetëvendosje thotë se ky diktat i Gjykatës Kushtetuese që ka vendosur Kuvendin në pauzë pse Lista Serbe nuk mori votat e mjaftueshme për të pasur një Nënkryetar, po i çon në 112 ditët e pritjes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, prej 15 prillit kur dhe filloi procesi i konstituimit të Kuvendit.
Po ashtu VV ka thënë se çdo interpretim që çon në drejtim të dhënies së ekskluzivitetit për propozim dhe zgjedhje të nënkryetarit nga radhët e Listës Serbe, do t’ia mundësonte Listës Serbe të drejtën e vetos.
“Në tekstin prej 15 faqesh që Gjykata ka përgatitur për të përmbledhur faktet dhe arsyetimin e masës është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së Nënkryetarit. Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe”.
Sipas VV-së kjo parti, dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.