Në 35 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, kryetari i Kuvendit Dimal Basha, ka kujtuar e vlerësuar delegatët e atëhershëm që punuan për krijimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut.
“Sot 35 vjet më parë, më 7 shtator 1990, në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, delegatët e Kuvendit të Kosovës nën kushte represioni por me guxim dhe vizion të qartë për liri e pavarësi, miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe për herë të parë e shpallën Kosovën republikë. Ky akt erdhi pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, kur Profesor Gazmend Zajmi me kolegët profesorë më eminentë të kohës si Kurtesh Saliu, Ejup Statovci, Ismet Salihu, Fatmir Fehmiu, Halit Muharremi e Riza Smaka, përgatitën në më pak se një muaj tekstin e plotë të Kushtetutës, që u bë gurthemel i Republikës së sotme”, shkroi Basha në Facebook’.
Sipa sitj, përveç dijes së juristëve të shquar, edhe guximi qytetar ishte i pazëvendësueshëm. Familjet e Kaçanikut strehuan delegatët dhe organizimi u mbajt i fshehtë deri në detajin më të vogël, madje edhe me rrugë të tërheqjes të parapara.
“Mbledhja nisi në orën 20:00, u drejtua nga Iljaz Ramajli, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës atëbotë, ndërsa Rezolutën e lexoi Halit Muharremi. Kushtetuta e Kaçanikut, e mbështetur në traditën liridashëse të kombit shqiptar, në parimet e demokracisë e barazisë dhe në të drejtën për vetëvendosje, shpalli qartë se territori i Kosovës është unik, i pandashëm e i patjetërsueshëm. Ky dokument i ktheu parullat e demonstratave të vitit 1981 “Kosova Republikë” në realitet politik, duke i parapri referendumit të vitit 1991 dhe lëvizjes paqësore, që u përcjell me luftën e lavdishme çlirimtare të UÇK-së dhe që u kurororëzua me Pavarësinë më 17 shkurt 2008. Sot, me nderim e respekt, kujtojmë profesorët, delegatët dhe qytetarët e Kaçanikut që bënë të mundur këtë akt historik. Kushtetuta e Kaçanikut mbetet testament i gjallë i unitetit, përkushtimit dhe vendosmërisë sonë kolektive për liri, barazi dhe shtet të pavarur e sovran. Ajo na rikujton se pavarësia është arritur me sakrificë dhe mbrojtja e saj është përgjegjësi e përhershme për ne. Nderim i përhershëm për delegatët, profesorët hartues dhe mirënjohje për qytetarët që kontribuan në këtë ngjarje historike madhështore”, tha ai.