Me homazhe në përkujtim të viktimave, shënohet 24-vjetori i sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, i cili mori rreth 3 mijë jetë njerëzish dhe ndryshoi përgjithmonë historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti bënë homazhe te pllaka përkujtimore në oborrin e Qeverisë së Kosovës, në afërsi të Kuvendit, duke kujtuar viktimat e ngjarjes së tmerrshme që 24 vjet më parë, tronditi mbarë botën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Kosova qëndron me krenari për të luftuar terrorizmin, kudo që ai ndodh.
“Në atë ditë, bota u nda në dysh: në ata që thellësisht besojnë në vlerat e lirisë, humanizmit dhe qëndrojnë bashkë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe në luftën kundër terrorizmit, dhe në pjesën tjetër, ata që besojnë në terrorizëm dhe e përdorin atë për të shkaktuar dhimbje te të tjerët. Kosova, me krenari, ka qëndruar dhe qëndron krah SHBA-së për të luftuar terrorizmin, kudo që ai ndodh”, ka theksuar ajo.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përkujtoi tre shqiptarët që ishin viktima të sulmit terrorist dhe theksoi se terrorizmi sot nuk është më vetëm një veprim i akterëve joshtetërorë, por edhe i vetë shteteve.
“Sot nuk janë vetëm akterët parashtetërorë ata që ushtrojnë terrorizëm, por edhe shtete të caktuara. Ne kemi pasur rastin e 24 shtatorit në Kosovë, kur struktura ilegale paralele të udhëhequra nga Beogradi zyrtar zhvilluan një akt terrorist në vendin tonë. Fatkeqësisht, në kontinentin evropian, terrorizmi më i madh vjen nga Federata Ruse dhe presidenti i saj autokratik, Vladimir Putin. Ne shprehim solidaritetin tonë me popullin amerikan dhe familjet e viktimave”, ka theksuar Kurti.
Sulmi i 11 shtatorit u cilësua si një nga ngjarjet më tragjike të historisë moderne amerikane. Katër aeroplanë pasagjerësh u rrëmbyen nga anëtarë të organizatës terroriste Al-Kaida: dy prej tyre u përplasën në Kullat Binjake në New York, një në Pentagon, ndërsa i katërti u rrëzua në Pensilvani, pasi pasagjerët tentuan të zmbrapsnin rrëmbyesit.