Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur në Prishtinë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në këtë nisje elektorale u prezantuan kandidatët e kësaj partie për kryetar komunash.
Lideri, Lumir Abdixhiku e quajti LDK-në shtëpi të lirisë, shtëpi të pavarësisë e demokracisë.
“Sonte nuk po e nisim vetëm një fushatë, po e nisim një kryengritje shprese, po hapim kapitullin e ri të qyteteve tona, komunave tona, të vetë Republikës tonë. Në këtë kapitull shprese duhet të kujtojmë forcën tonë, t’i kujtojmë vetës dhe të tjerëve se kush jemi ne. Jemi pasardhësit e qëndresës, pasardhësit e rezistencës, pasardhësit politik të shqiptarit më të madh të kohërave, të doktor Ibrahim Rugovës”, tha Abdixhiku në hapjen e fushatës elektorale.
Ai tha se katër vite më parë, qytetarët i dhanë LDK-së mbështetjen më të madhe me 9 komuna në qeverisje e me 209 këshilltarë komunalë.
“Katër vite më pas shikojmë me plot mburrje në shenjat e lëna e rezultatet e arritura nga ekipet tona gjithandej nëpër Kosovë. Në këto 9 komunat tona kemi qeverisur mirë, mbarë e djathtë, dhe me 12 tetor duam ta përhapim në të gjitha komunat tjera, gjithandej Kosovës, ta kthejmë çdo komunë në model qeverisje tonën. Më 12 tetor populli do të ketë në dorë vetëm një fletë votimi, por fatin e Republikës”, tha Abdixhiku.
Ndërkaq, kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama foli për planet që ka ai në programin e tij, duke përmendur një për një projektet për Prishtinën.
“Vizioni që e kemi filluar para 4 vitesh nuk ndryshon, është i qartë. Prishtina si një organizëm i gjallë ku gjithçka është e ndërlidhur, ku njeriu ndodhet gjithmonë në qendër. E për atë motoja jonë është ‘përtej’. Ne jemi përtej edhe me infrastrukturën, koncepti që kemi instaluar në kryeqytet është se ndriçimi publik do të jetë ndriçim i mençur,i cili di të ekonomizojë energjitë që nuk përdoren, kjo përkthehet në më pak fatura rryme, në më shumë buxhet për investimet e domosdoshme tjetërkund”.