Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se goditja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës përmes ndërprerjes së Dialogut Strategjik do të ketë pasoja afatgjata, nëse nuk ndryshon qasja politike në vend. Ai ka theksuar se nuk duhet harruar as fakti që Kosova aktualisht është nën masa të Bashkimit Evropian.
Deputeti i LDK-së, në një reagim në profilin e tij zyrtar, ka theksuar se një goditje e tillë do të ishte shmangur, nëse presidentja Vjosa Osmani do ta kishte përmbushur detyrimin kushtetues për të mbrojtur Kushtetutën, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sistemin gjyqësor, prokurorinë, gazetarët, bizneset dhe të gjitha komunitetet nga sulmet e Albin Kurtit.
“Në vend se të kryente obligimin e saj kushtetues, Osmani vazhdimisht zgjidhte heshtjen, ose rreshtohej pas Kurtit”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, ky vendim i SHBA-së është një zile e re alarmi për të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi institucionale apo politike, shumë prej të cilëve janë tërhequr zvarrë prej vitesh nga narrativi i popullizmit të dëmshëm të Kurtit, i cili ka sjellë edhe këtë reagim të SHBA-së.
“Zilja ra sërish dhe kësaj here shumë fuqishëm. Nesër, kur mund të jetë vonë, askush nuk do të mund të thotë se nuk u zgjua, sepse askush nuk i ra ziles. Zilja kishte rënë edhe në fillim të vitit 2020. Atëherë, LDK-ja zgjodhi partneritetin me SHBA-në, para ruajtjes së pozitave qeveritare”, ka shkruar Hoti.