“Kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak”, ka thënë Kupchan në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, duke theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për një kohë të gjatë nuk ka avancuar.

Kupchan tha se me ndryshimin e administratës në Uashington kishte pritshmëri që presidenti Donald Trump do të riangazhohej në këtë proces, por njoftimi i fundit nga Ambasada amerikane në Prishtinë për pezullimin e dialogut strategjik tregon të kundërtën.

Sipas tij, ky vendim është një kombinim i frustrimeve të akumuluara dhe pakënaqësisë ndaj qeverisë Kurti. Kupchan po ashtu përmendi zvarritjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, kritikat e Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese, si dhe vendimet e pakoordinuara të Qeverisë, nga ndalimi i dinarit serb, te instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri dhe moszbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në Uashington dhe në Evropë ekziston perceptimi se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës. Ndaj, pezullimi i dialogut strategjik është një shenjë pakënaqësie dhe frustrimi”, theksoi Kupchan.

Ai shton se ky veprim synon të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e Kosovës – veçanërisht mbi Kurtin – që të veprojnë në mënyrë konstruktive, të formojnë një qeveri dhe të riangazhohen në dialogun me Serbinë.

Kupchan thekson gjithashtu rëndësinë e kompromisit dhe të negociatave me mirëbesim midis të gjitha partive politike në Kosovë, për të rivendosur stabilitetin dhe për të ecur përpara.

“… kjo tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme, për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë”, thotë Kupchan.