Haradinaj tha se në vitin 2005, si kryeministër, kishte marrë vendimin për krijimin e Komunës së Hanit të Elezit, edhe pse një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga shumëkush.

“Si kryeministër, isha i vendosur që Hani i Elezit të bëhej komunë, edhe pse shumëkush më kundërshtonte. Sot, shumë prona që dikur duhej t’i ktheheshin Hanit të Elezit janë kthyer, një fitore për të gjithë qytetarët,” u shpreh Haradinaj.

Ai theksoi se Hani i Elezit, si komunë kufitare, ka nevojë për mbështetje dhe zhvillim të veçantë

“Duhet të shndërrohet në një zonë moderne, sepse është pasqyra e parë për këdo që hyn në Kosovë,” theksoi kryetari i AAK-së.

Haradinaj prezantoi edhe listën e kandidatëve të Aleancës për këtë komunë, duke veçuar bartësin e listës, Menduh Vlashi.

“Listës së Aleancës i prin Menduh Vlashi, i dëshmuar si në përpjekjet për liri, por edhe në shtetndërtim. Ai ka pranë një ekip të mrekullueshëm kandidatësh për Asamble, që do të punojnë për zhvillim dhe përmirësim të jetës së qytetarëve,” tha Haradinaj.