Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh i bindur në fitore, duke theksuar se Suhareka do të jetë një nga prioritetet e partisë.

“Kur LDK zgjohet në këmbë, askush s’mund ta ndalë. Kjo do të jetë një fitore e madhe. Ka ardhur koha që LDK e Suharekës të bëhet një dhe ky do të jetë prioriteti ynë. Në këtë garë kemi një kandidat të zot dhe punëtor dhe njeri të fjalës,” tha ai.

Ndërsa kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e LDK-së, Ardian Shala, tha se vendit i duhet ndryshim, i cili do të realizohet përmes programit dhe vizionit të tyre.

“Sot jemi mbledhur për të theksuar se Suharekës i duhet ndryshim. Ju bëj thirrje që t’i bashkoheni vizionit tonë. Ka shumë punë për të bërë, sidomos për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimeve dhe shërbimeve publike, me të cilat qytetarët nuk janë të kënaqur. Për të gjitha këto, ka ardhur momenti që të punojmë për një Suharekë të ndërtuar dhe të zhvilluar. Shumë të rinj kanë braktisur vendin, por ne do t’i rikthejmë shpresën dhe perspektivën. Kemi mbledhur ekspertë nga fusha të ndryshme që do të trajtojnë problemet e qytetarëve dhe këto do t’i përfshijmë në programin tonë. Për Suharekën do të ketë ujë të pijshëm dhe investime në turizëm,” u shpreh Shala.

Në takim ishin të pranishëm edhe kandidatët për Kuvendin Komunal të Suharekës nga kjo parti.