KEK-u bëri të ditur se ky hap është ndërmarrë duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-014 për Infrastrukturën Kritike, sipas të cilit asetet e saj kategorizohen si pjesë e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës.

Koorporata theksoi se këto objekte përfaqësojnë themelin e furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke e bërë këtë infrastrukturë produkt thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar.

“Ky hap përfaqëson një dëshmi të qartë të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

KEK sh.a. ka shprehur mirënjohje për rolin e KFOR-it dhe ka falënderuar institucionet e tjera që kontribuojnë në mbrojtjen e sigurisë energjetike. Po ashtu, ka apeluar tek qytetarët të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj infrastrukture dhe të respektojnë masat ligjore dhe të sigurisë në këtë drejtim.