Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se si parti kanë kundërshtuar nga fillimi themelimin e Gjykatës Speciale dhe se besojnë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Si Lëvizje Vetëvendosje edhe pa qenë në qeveri ne kemi kundërshtuar kur ka qenë koha, kur është votuar në Kuvend. Kemi bërë lutje, kemi bërë kërkesa, ka fjalime të panumërta të deputetëve që si opozitë kishte paralajmëruar këto që po ndodhin. Prandaj, kundërshtimi është bërë kur ka qenë koha dhe nevoja dhe pikërisht atëherë ne jemi quajtur persona se po duam të bëjmë pengesa dhe se jemi kundër shtetit e Kosovës”, tha Murati.
Më tej ministri ka thënë se ata kanë kundërshtuar idenë e një gjykate me një etni.
“Për sa i përket Gjykatës Speciale ne kemi kundërshtuar qysh në fillim, një gjykatë që gjykon monoetnikisht, pra vetëm një etni, kemi qenë kundër që të bëhet një proces i tillë. Kjo është dëshmuar edhe gjatë procesit të votimit të asaj kohe, kemi kundërshtuar, refuzuar dhe sot po e shohim që problemet që po sjellin dhe nuk qëndron ajo që na ishte thënë atëherë që do të bëhet vetëm një gjykim apo pastrim i imazhit të luftës çlirimtare. Ne shpresojmë, besojmë dhe urojmë, pra, në pafajësinë e tyre dhe që gjykata megjithatë të nxjerrë verdiktin e pafajësisë për të gjithë atë që po gjykohen atje dhe të kthehen këtu dhe pastaj janë çështje të tjera se çfarë ka ndodhur pra gjatë procesit të qeverisjeve”, ka thënë Murati.