Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për rrëmbimin e një të riu në lagjen Veterrnik të Prishtinës.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 18 shtator, rreth orës 23:10, kur viktima, mashkull kosovar, është marrë me forcë nga dy persona dhe është futur në një veturë. Ai më pas është dërguar në një shtëpi të pabanuar, ku është mbajtur deri në mëngjes dhe ndaj tij është ushtruar forcë fizike.
Policia ka bërë të ditur se është identifikuar edhe një person i tretë i dyshuar, i cili ndodhet ende në arrati. Në kuadër të hetimeve janë bastisur katër shtëpi dhe banesa, ku gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një armë gjuetie.
Dy të dyshuarit e arrestuar janë ndaluar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.