Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë të Ushtrisë së SHBA-së (SATMO), kolonel Thomas Melton.
Sipas njoftimit nga FSK, Jashari ka falënderuar Melton për kontributin e tyre në ngritjen dhe zhvillimin e institucionit.
“Gjatë takimit u diskutua edhe rreth aktiviteteve që janë zhvilluar deri më tani, duke përfshirë mbështetjen e ekipeve të SATMO në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe procesit të validimit të njësive, si pjesë e planit të zhvillimit të Forcës. Për më tepër, u diskutua edhe për planin tre vjeçar të aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen në të ardhmen, ku roli i ekipeve të SATMO-s është i jashtëzakonshëm në trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja të FSK-së”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, u vlerësuan të arriturat e deritanishme të dhe performanca e dalluar që pjesëtarët e FSK-së kanë treguar gjatë aktiviteteve me ekipet e SATMO-s.
“Në fund të takimit edhe një herë u potencua se mbështetja nga ekipet trajnuese të SATMO-s është shumë e rëndësishme për avancimin e profesionalizmit të njësive të FSK-së”, përfundon njoftimi.