Para qytetarëve dhe përkrahësve, ai prezantoi programin për zgjedhjet e 12 tetorit, duke vlerësuar se gjatë shtatë viteve të fundit Komorani dhe Drenasi kanë shënuar arritje të mëdha.

“E kam një listë të jashtëzakonshme me djem e vajza të dëshmorëve të UÇK-së, me djem e vajza të veteranëve të UCK-së, me djem e vajza të martirëve dhe të pagjeturve dhe me vetë veteran të UCK-së”, tha Ramiz Lladrovci, kandidat për kryetar të Drenasit.

“Kam vendosur me kandiduar në këto zgjedhje me iniciativë të pavarur “Për Drenasin Kampion” sepse është kërkesa e juaj është kërkesa e gjithë qytetarëve për kampion të Drenasit për me vazhdu edhe një mandat 4 vjeçar”, tha ai.

Ai përmendi disa projekte të reja, si Parkun e Pishave në Komoran, rrugën “Anton Çetta”, ndërtimin e kanalizimeve dhe ndriçimit publik, si dhe hapjen e një stacioni policor në këtë zonë.

“Ju e dini që Parkun “Te Pishat” nuk kemi mundur me arrit me kry sepse janë mjetet e para që i ka marrë përmbaruesi por edhe e kam buxhetu dhe do ta bëjmë Parkun më të mirin të mundshëm te Pishat e juaj ne vendin që e ka Komorani. Unë e di që na ka mbet ndonjë shtëpi dhe lagje e vogël, pa një rrugicë, më vjen keq rrugën “Anton Çetta” që nuk kemi mundur me përfundu pasi e kemi pas një kontekst të vogël besoj shpejt kemi me përfundu. Unë e di që kemi edhe ndonjë shtëpi- lagje pa ndriçim dhe ndonjë shtëpi pa kanalizim, por ne ju garantojmë dhe ju premtojmë që sa më shpejt që është e mundur kemi me i realizuar”, tha Ramiz Lladrovci, kandidat për kryetar të Drenasit.

Në këtë tubim, u prezantua edhe lista e kandidatëve për Asamblenë Komunale nga subjekti i tij politik. Bartësja e listës, Laureta Thaçi, theksoi se prioritet do të mbetet qytetari dhe mirëqenia e tij. Lladrovci shprehu bindjen se ekipi i tij do të garantojë zhvillim dhe transparencë për Drenasin.