Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin e saj për kryetar të Deçanit, Faton Selmanaj ka shpalosur para banorëve të kësaj komune programin zhvillimor. Selmanaj i shoqëruar nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti u zotua se do të zgjidh problemet me ujërat e zeza si dhe do të realizoj projekte të rëndësishme për arsimin, shëndetësinë e fushat tjera.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i shoqëruar nga kandidati i këtij subjekti për kryetar të Deçanit, Faton Selmanaj ka mbajtur takim me banorët e kësaj komune.
Gjatë takimit ata shpalosën programin zhvillimor për Deçanin, për çka premtuan projekte për infrastrukturë, shëndetësi, arsim e fusha tjera.
“Në komunë nuk ka pasur vizion ka munguar drejtimi dhe ka munguar aktiviteti. Na nevojitet një kryetar i komunës që nuk bën ankesa por bën kërkesa, që punon ditë e natë dhe që bashkëpunon me qeverinë. Opozita bëhet në parlament. Komuna dhe qeveria duhet të bashkëpunojnë. E unë si kryeministër i Republikës së Kosovës me Faton Selmanaj kryetar i komunës së Deçanit do të bashkëpunojmë ngushët e do të bëjmë përparime të papara”, tha Kurti.
Ndërsa, Faton Selmanaj u zotua se do t’ua zgjidhe banorëve të Deçanit problemin me ujërat e zeza.
“Ne edhe në programin tonë i cili ka shkuar për shtyp dhe për pak ditë do të jetë në duart e secilit jemi zotuar që uji i pijes dhe kanalizimi do të zgjidhen një herë e përgjithmonë. E dimë që e mbarë komuna ka problem me ujë të pijes dhe po ashtu me kanalizimet. Ne do t’i japim zgjidhje të përhershme njëherë e përgjithmonë. Qeveria i ka investuar mbi 60 milionë euro. Secili projekt që ka ardhur në drejtim të qeverisë nga komuna e ka buxhetuar. Mirëpo nuk ka pasur asnjëherë projekt që ka të bëjë me ujin e pijes dhe kanalizimin”, tha Selmanaj.
Gjatë takimit u dëgjuan edhe ankesat e banorëve të Deçanit, për të cilat LVV tha se do të ofrojë zgjidhje.