I shoqëruar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidati për kryetar të Pejës nga ky subjekt, Taulant Kelmendi ka takuar të shtunën qytetarë, pronarë biznesesh e profesionistë shëndetësor.

Nga çarshia e gjatë, Kurti e Kelmendi mbajtën takim me profesionistë shëndetësorë.

“Rritja ekonomike, progresi i një vendi matet me aspektin e shëndetëdisë publike e të arsimimit të qytetarëve. Shëndetësia është në fokusin tim dhe unë dëshiroj të ju them të gjithëve që si kryetar i ardhshëm i komunës së Pejës, Taulant Kelmendi do më ketë mua si kryeministër dorë të djathtë, saktësisht siç jemi ulur tash. Ndërkohë kur ulemi në Prishtinë, ai është dora e djathtë për mua e arsimit si zv.ministër i Arsimit. Unë kam mbresat më të thella nga bashkëpunimi me Taulantin, edhe si aktivistë i LVV por edhe si zv.ministër i qeverisë. Tani ka ardhur koha që Peja ta hapë një kapitull të ri në zhvillimin lokal”, tha Kurti, kryetar i LVV-së.

Taulant Kelmendi shpalosi programin për shëndetësi.

“Mendoj që pas 12 vjetëve duhet të kemi një çlirim të përgjithshëm qytetarë, nuk duhet të shihet përkatësia politike e partiake e asnjë profesionisti. Profesionistët e mirë duhet me qenë në krye të detyrës ose në QMF ose në AMF ose në spital. Në programin tonë kemi pasur parasysh me pas premtime dhe projekte të realizueshme, të matshme dhe kur shihemi pas 4 vjetëve të flasim se si janë kryer punët e jo si nuk janë kryer. Këtu kemi paraparë që në secilën lagje dhe fshat me pas vizita sistematike shëndetësore që të evidentohen në moshë sa më të hershme anomalitë shëndetësore që me pas një trajektore edhe individuale secili pacientë”, tha Taulant Kelmendi, kandidat për kryetar të Pejës.