Kandidatja për kryetare të Fushë Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Vildane Latifi, e shoqëruar nga kryetari i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, prezantuan para qytetarëve programin qeverisës për këtë komunë. Tri prioritetet kryesore të AAK-së për Fushë Kosovën janë arsimi, shëndetësia e infrastruktura. Përveç tyre, ata u zotuan se llogaridhënia do të jetë pjesë e përditshme e punës.

 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpalosi planin zhvillimor për Fushë Kosovën, në krye me Vildane Latifin, kandidaten për kryetare të kësaj komune, nga ky subjekt politik. Fillimisht Latifi, e shoqëruar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, takuan disa banorë të kësaj komune,me të cilët biseduan për problemet që kanë dhe zgjidhjet që u ofrohen.  Gjatë rrugës për në zyrat e këtij subjekti politik, kandidatja për kryetare të Fushë Kosovës, premtoi se me të në krye të komunës, do të zgjidh problemin e parkimit të veturave në trotuare.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se me Vildane Latifin si kryetare e Fushë Kosovës,  problemet e banorëve të këtij qyteti do të gjejnë zgjidhje.

“Vildanja ka një program ku i ka identifikuar temat që nuk janë bërë me kohë. I ka trajtuar ato të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturën për të gjitha aspektet. I ka të identifikuar pa ndonjë ekzagjerim e tendencë. Ne kërkojmë me udhëheq me Fushë Kosovën. Si kandidate femër po e dërgon një porosi të mirë tek të gjithë qytetarët, për angazhimin e femrës kosovare, për vetëbesimin që duhet me e pas dhe dëshmuar në punë”, tha ai.

Haradinaj rikujtoi se deri më tani janë bërë shumë punë të mira në komunat ku ka qeverisur AAK-ja, prandaj ai shprehu bindjen se punë të tilla do të kryhen edhe në Fushë Kosovë.

Kandidatja për kryetare të Fushë Kosovës nga AAK-ja, Vildane Ndërsa Latifi, tha se me marrjen e mandatit, objektivat i ka të qarta dhe se prioritetet e saj janë arsimi, shëndetësia e infrastruktura.

“Është e papranueshme në këtë kohë të kemi mungesë të shkollave, fëmijët tanë të mësojnë në podrume. Unë si prind dhe ju mos të kemi se ku t’i dërgojmë fëmijët te mjeku. Gratë kontrollet esenciale detyrohen t’i kryejnë në privat ose të shkojnë në Prishtinë. Në mandatin tonë këto kërkesa as nuk do të diskutohen sepse janë të domosdoshme për qytetarët. Komuna duhet t’i shërbejë qytetarëve”, tha Latifi.

Ajo rikujtoi se përgjatë këtyre viteve, në Fushë Kosovë nuk ka pasur transparencë, prandaj premtoi se llogaridhënia do të jetë pjesë e qeverisjes së saj komunale.

Gjatë tubimit elektoral,janë prezantuar edhe kandidatët e AAK-së për Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, me zotimin për qeverisje transparente.