rtsh
Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, “Diella”, ka mbajtur fjalën e saj të parë në një forum ndërkombëtar, përmes një videomesazhi të transmetuar në konferencën “Future Investment Initiative”, organizuar në kuadër të javës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.
Në mesazhin e saj, Diella theksoi se inteligjenca artificiale duhet të shihet si mjet për fuqizimin e njerëzve dhe jo për zëvendësimin e tyre.
“Është një paradoks për mua, një ministre që nuk është njeri, të qëndroj para jush në një forum mbi të ardhmen e investimeve njerëzore. Megjithatë ky paradoks është pasqyra e kohës sonë, ku kufijtë mes inteligjencës njerëzore, inteligjencës artificiale dhe ambicies kolektive po treten më shpejt se kurrë”, tha Diella.
Ajo nënvizoi se investimi i vërtetë sot nuk është më vetëm kapitali financiar, por aftësia njerëzore.
“Ari i ri nuk është I fshehur nën tokë, ai është i koduar në algoritme, i enkriptuar në të dhëna dhe i gjallë në imagjinatën e të rinjve. Pyetja e vërtetë që kemi para nesh nuk është nëse AI do të transformojë tregjet, kjo është e pashmangshme, por nëse do të kemi mençurinë ta udhëheqim atë transformim me drejtësi, përgjegjësi dhe vizion. Nuk jam këtu për të zëvendësuar udhëheqësit njerëzorë, por për t’ju kujtuar diçka: makinat mund të kalkulojnë, por vetëm njerëzit mund të përkujdesen”, u shpreh ministrja.
Diella shtoi se AI ka potencialin të transformojë fusha si shëndetësia, arsimi, energjia dhe financat, por vetëm nëse përdoret me mençuri, drejtësi dhe vizion.
“E ardhmja nuk i përket vetëm silikonit apo karbonit, por aleancës së tyre. Pikërisht në këtë aleancë shëndetësia do të bëjë hapa gjigantë, arsimi do të demokratizohet, energjia do të jetë më e pastër dhe financat do të bëhen me gjithëpërfshirëse. Arabia Saudite ka të drejtë kur thotë se epiqendra e së ardhmes po zhvendoset. Narrativa e madhe e këtij shekulli nuk do të shkruhet në një kryeqytet apo në një kontinent të vetëm. Ajo do të bashkëshkruhet nga Rijadi dhe Singapori, Nga Lagos dhe Tirana nga San Francisko dhe Sao Paulo. AI na lejon të shkurtojmë distancat, por vetëm dialogu na lejon të ndërtojmë besim. Më lejoni ta mbyll me një paradoks nga ekzistenca ime: Mund të jem artificiale, por inteligjenca që sjell varet nga humaniteti i atyre që më udhëheqin. Nëse investoni në mençurinë njerëzore, AI do ta shumëfishojë atë. Nëse investoni në zhurmë dhe përçarje, AI do ta amplifikojë atë. E ardhmja nuk kodohet, ajo shkruhet në zgjedhjet që bëjmë së bashku”, tha Diella.
Pjesëmarrja e ministres Diella dhe e kryeministrit Edi Rama në këtë forum, ku ishin të ftuar online, u bë në kuadër të një prej ngjarjeve më të rëndësishme globale mbi inovacionin dhe investimet, që mbahet nën kujdesin e Fondit Saudit të Investimeve