Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Juglindore, që po mbahet në Bratisllavë të Sllovakisë, në kuadër të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC) dhe vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor (WB).
Ftesa për pjesëmarrje u bë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Sllovakisë, Robert Kalinak.
Në fjalën e tij para ministrave të mbrojtjes, Maqedonci theksoi vendosmërinë e Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik dhe anëtarësimit në NATO dhe BE.
“Gjithashtu njoftova të pranishmit rreth zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje dhe të ndërveprueshme me NATO, duke theksuar se investimet e qeverisë në mbrojtje kanë qëllim që të ndërtojmë kapacitete ushtarake të afta për të mbrojtur territorin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës si dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri regjionale dhe globale”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ai njoftoi se gjatë këtij ministeriali me theks të veçantë u diskutua rreth bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe mundësitë tjera të bashkëpunimit regjional.
“Kosova është e përkushtuar të forcoj edhe më tej pozicionin e saj të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë dhe investimet tona në mbrojtje dhe siguri i shërbejnë edhe këtij qëllimi”, ka shkruar tutje Maqedonci.