Në njoftimin e saj, AIP thekson se çdo përpunim i të dhënave personale duhet të bazohet në një bazë të qartë ligjore, si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo ndonjë arsye tjetër e përcaktuar me ligj.

Agjencia u bën thirrje partive që:

Të mos përdorin të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura përmes funksioneve publike apo formave të tjera për qëllime të marketingut politik;

Të mos ekspozojnë të dhënat personale përmes postës elektronike, SMS-ve apo thirrjeve telefonike pa pëlqim paraprak;

Të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin komunikimin pas kundërshtimit;

Të shmangin profilizimin dhe përpunimin masiv të të dhënave të ndjeshme pa bazë të qartë ligjore dhe masa mbrojtëse adekuate;

Të sigurojnë transparencë për mënyrën e përpunimit të të dhënave përmes politikave të qarta dhe të qasshme të privatësisë.

AIP thekson rëndësinë e respektimit të të drejtës për privatësi gjatë procesit zgjedhor dhe shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me subjektet politike për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.