Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës kryetari Dimal Basha priti pjesëmarrësit e Edicionit të 11-të të Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj, që mbahet nën organizimin e Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung.
Sipas njoftimit, rreth 45 diplomatë nga e gjithë bota gjatë qëndrimit në Kuvend u njohën me aspekte të punës së tij, me rolin dhe funksionet kushtetuese, por edhe me zhvillime të tjera të jetës parlamentare.
Duke u uruar mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryetari Basha theksoi se tema e këtij trajnimi për ngritje kapacitetesh “Diplomacia në kohë sfidash globale – Siguria, Teknologjia dhe Ndryshimet Gjeopolitike”, është shumë aktuale, duke pasqyruar kohërat komplekse dhe sfidat me të cilat përballet diplomacia sot. Ai tha se të gjitha këto fusha janë të ndërlidhura ngushtë.
“Në një botë ku informacioni qarkullon me shpejtësi dhe ndryshimet gjeopolitike zhvillohen me ritme të mëdha, diplomacia shërben si ura lidhëse mes prioriteteve kombëtare dhe agjendave globale“, theksoi kryetari Basha.
Gjatë fjalës së tij kreu i Kuvendit kujtoi se Kosova sot shënon dyvjetorin e sulmit terrorist në pjesën veriore të saj, në Banjskë, një akt tragjik ky, i cili jo vetëm që la plagë të thella për ne, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, por, siç tha kryetari Basha, njëkohësisht nxori në pah edhe përpjekjet e vazhdueshme të propagandës nga Serbia, e cila vazhdon të mohojë përgjegjësinë duke ofruar strehim dhe mbështetje për terroristët e përfshirë.
Duke folur për aspektin e teknologjisë, kryetari i Kuvendit vlerësoi se teknologjia ka avancuar aq shpejt saqë kemi vështirësi si në trajnim të njerëzve, ashtu edhe në përshtatjen ndaj saj. Nga njëra anë, shtoi ai, ekziston nevoja për komunikim të shpejtë; nga ana tjetër, është beteja kundër propagandës – një nga betejat më të vështira me të cilat përballemi sot.
“Propaganda është bërë një nga mjetet më të fuqishme që përdorin shtetet, me potencial për të shkaktuar dëme të mëdha. Rusia është një shembull i qartë. Shumë shtete tashmë kanë departamente ose ministri të specializuara për të luftuar dezinformimin. Dhe, sigurisht, edhe ne në Kosovë përballemi me makinerinë propagandistike të Serbisë, e cila vazhdon të shpërndajë informacione të rreme“, theksoi kryetari Basha.
Kryetari Basha rikujtoi se Kosova mbetet një histori suksesi mbresëlënëse: një vend i vogël që doli nga një e kaluar e dhimbshme, ndërtoi institucione demokratike dhe krijoi aleanca të forta me fuqitë kryesore demokratike të botës.
“Partneritetet tona me Shtetet e Bashkuara, shtetet anëtare të BE-së dhe aleatët e tjerë strategjikë janë rezultat i një diplomacie të sinqertë, të bazuar në vlera të përbashkëta dhe në përkushtim të ndërsjellë për paqe dhe stabilitet“, theksoi kryetari Basha.
Në përmbyllje të takimit u zhvillua një diskutim i hapur dhe konstruktiv mbi pozicionin e Kosovës në raport me shtetet e rajonit, si dhe mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal, me ç’rast kryetari Basha u dha hapësirë diplomatëve për pyetje, të cilave iu përgjigj pa hezitim, duke ofruar qëndrime të qarta dhe të drejtpërdrejta mbi politikat dhe prioritetet e Republikës së Kosovës.