Diplomati gjerman ka thënë se është përgjegjësi e partive politike dhe e deputetëve të Kuvendit që të përmbushin pritjet e qytetarëve dhe të konstituojnë Kuvendin në përputhje me Kushtetutën.

“Është përgjegjësi e anëtarëve të parlamentit që ta konstituojnë Kuvendin në përputhje me Kushtetutën dhe të formojnë e zgjedhin një qeveri që do ta drejtojë vendin. Dhe nëse Kuvendi konstaton se rruga më e mirë përpara janë zgjedhjet e parakohshme, atëherë le të jetë ashtu”, ka thënë ai.

Sipas tij, është e nevojshme që parlamenti të formojë një qeveri të qëndrueshme, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të ndikojë negativisht në interesin e investitorëve dhe në mirëqenien e qytetarëve.

“Çdo ditë vonese në formimin e qeverisë dhe në avancimin e tranzicionit energjetik, Kosova rrezikon të humbasë interesin e investitorëve. Dhe kjo nënkupton humbje reale në para, në vende pune dhe në mirëqenie të ardhshme”, ka theksuar Boettcher.

Këto deklarata ai i bëri gjatë organizimit dyditor të Kosova Energy Forum dhe Green Business Expo 2025, ngjarje që synojnë të ofrojnë një platformë për diskutime mbi tranzicionin energjetik, liberalizimin e tregut të energjisë dhe sfidat për tërheqjen e investimeve në sektorin e energjisë së pastër dhe bizneset e qëndrueshme.