Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Milot Cakaj me bashkëpunëtorët, së bashku me Shqipe Fazliu Devaja, Drejtore Menaxhuese e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës, ka pritur ekspertët e Misionit të Bankës Botërore, kryesuar nga Rekha Reddy me ekipin e saj dhe shoqëruar nga Zëvendës menaxherja e BB-së për Kosovën, Jane Sprouster.
Banka Qendrore njofton se në fillim të takimit, Guvernatori Ismaili përditësoi ekspertët e Misionit të BB-së mbi aktualitetet në sektorin financiar, aktivitetet e BQK-së në funksion të realizimit të objektivave dhe të Planit Strategjik, si dhe progresin në avancimin e kornizës rregullative dhe infrastrukturës teknike të BQK-së.
Sipas njoftimit temat kryesore të diskutuara me ekspertët e Misionit që po qëndron në Kosovë nga data 22-26 shtator 2025, në kuadër të projekteve për zhvillimin e sektorit financiar – FinDev dhe FinSAC, ishin statusi i tyre dhe prezantimi i rezultateve, zhvillimi i projektit të pagesave të shpejta – TIPS Clone përfshirë infrastrukturën dhe shërbimet shtesë.
Po ashtu, u trajtua avancimi i kornizës ligjore dhe rregullative në fushën e sigurimit të depozitave, si dhe mundësitë e bashkëpunimit me Bankën Botërore për forcimin e instrumenteve financiare që rrisin qëndrueshmërinë dhe stabilitetin financiar, përfshirë fondin e përmbylljes dhe likuiditetit emergjent. Temë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe mbështetja e BQK-së në fushën e sigurimeve, mbrojtjes së konsumatorëve dhe zhvillimit të strategjisë për edukim financiar.
Në fund, Guvernatori Ismaili falënderoi Misionin si dhe shprehu mirënjohjen ndaj BB-së për mbështetjen në ndërtimin e kapaciteteve dhe realizimin e projekteve strategjike të BQK-së.
“Ky takim pasqyron bashkëpunimin e ngushtë mes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, si dhe përkushtimin për të avancuar stabilitetin financiar dhe modernizimin e shërbimeve financiare në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e BQK-së.