Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar se 24 shtatori është ditë që kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme.

“Afrim Bunjaku ra hero në Banjskë, duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës. 24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme. Asnjë sulm terrorist e agresion nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën. Kosova shtet sovran, i lirë e i pandashëm, do të mbetet realitet i pakthyeshëm e i përjetshëm. Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Osmani, e cila ndodhet në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Më herët, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryekuvendari, Dimal Basha, nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ministrat në detyrë Xhelal Sveçla, Faton Peci e Hajrullah Çeku si dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh në varrin e heroit, Afrim Bunjaku., i cili dy vjet më parë ra heroikisht pas agresionit që bëri Serbia në vendin tonë përmes grupit terrorist të prirë nga kryekrimineli Milan Radoiçiq.