Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, në New York, ku kanë biseduar për zhvillimet e fundit të sigurisë në Evropë dhe për hapat e ardhshëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Finlandës.
Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Finlandës për Kosovën, si dhe për përkrahjen e saj të palëkundur në rrugën drejt integrimit në institucionet euroatlantike. Ajo gjithashtu ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve pas vizitës së saj në Helsinki këtë vit.
“Diskutim produktiv me Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, në New York, mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Evropë, si dhe hapat e ardhshëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, pas vizitës sime në Helsinki këtë vit. E falënderova Presidentin Stubb për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për përkrahjen e palëkundur në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në institucionet euroatlantike”, ka shkruar Presidentja.