Një 32-vjeçar është arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin se ka strehuar Driton Bekteshin, të dyshuarin për plagosjen e djalit të tij në fshatin Stanoc të Vushtrrisë.

 

Sipas Policisë, i dyshuari është ndaluar për veprën penale “Dhënie ndihme kryesit pas kryerjes së veprës penale”.

“I dyshuari, mashkull kosovar 32-vjeçar, është arrestuar në qytetin e Fushë-Kosovës, pasi dyshohet se ka strehuar dhe ndihmuar një person tjetër të dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, e cila kishte ndodhur në muajin korrik 2025 në fshatin Stanoc të Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor.

Ngjarja për të cilën bëhet fjalë kishte ndodhur më 28 korrik 2025, rreth orës 18:00, kur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, një 27-vjeçar mbeti i plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor.