Xhevat Januzaj, i cili këto ditë po qëndron për pushime në vendlindje, kishte vetëm 15 vjet kur së bashku me familjen dhe banorët tjerë të Radoniqit u detyruan të largoheshin nga shtëpitë pasi aty kishte nisur të ndërtohej liqeni artificial.

45 vjet më vonë, ai iu kthye truallit ku u lind dhe u rrit, pranë vendit ku dikur ishte shtëpia e tij. Me tu afruar, ai e kuptoi se niveli i liqenit të Radoniqit ka rënë si asnjëherë më parë.

“Do të thotë 15 vjeç jam larguar prej këtu, emocionet janë shumë të mëdha, ku asnjëherë nuk mu dha mundësia me ardhë këtu të bunari ku para 45 viteve për herë të fundit kam pi ujë dhe u largova, por çka është e dhimbshme që të merzitë se ka ra niveli kaq shumë. Meqenëse klima globale ka ndryshuar shumë duhet të kemi kujdes që uji i pijes mos të keqpërdoret. Mua, mirë që mu ka dhënë rasti me pa njëherë, por uroj që herëve tjera mos të del bunari ku unë kam pi ujë edhe kurrë nuk është ndalë”, tha Januzaj.

Rënien e nivelit në këto përmasa e ka konfirmuar edhe kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, i cili ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në kursimin e ujit.

“Liqeni i Radoniqit ka furnizuar këtë verë rrjetin dhe konsumatorët tanë pa asnjë problem. Momentalisht, Liqeni i Radoniqit e kemi me minus 7.5 metra që, deri në diku në minus 9 ose 10 metra, nuk është diçka jashtë normales ose që ne e quajmë fazë kritike. Gjithsesi, apeli jonë është që të kursehet uji sepse është element shumë i rëndësishëm i jetës dhe duhet me e kursye”, tha Krasniqi.

Liqeni artificial i Radoniqit, i krijuar në vitet e 1980-ta, aktualisht furnizon me ujë të pijes rreth 350 mijë konsumatorë. Rënia e nivelit të ujit thekson rëndësinë e ruajtjes dhe kursimit të këtij burimi jetësor, sidomos në kohën e ndryshimeve klimatike