Kuvendi i Kosovës nisi me seancën e veçantë, në sallë janë prezentë vetëm deputetët e partive opozitare. Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë në seancën e veçantë.

Deputeti Tahiri tha se Parlamenti Evropian dënon lidhjen e Serbisë me Federatën Ruse, dënon sistemin e drejtësisë, respektivisht Gjykatën që liroi Millan Radojçiqin, dënon lidhjet e Serbisë me Federatën Ruse e Kinën, e dekonspiron pozicionin e Serbisë në raport me BE-në rreth sanksioneve ndaj  Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Ai tha se, PE kërkon që vendet mosnjohëse që anëtarët e  PE ta njohin sa ma shpejt Kosovën, vendet të cilat nuk e kanë dënuar sulmin në Banjskë ta bëjnë sa ma shpejtë.

“Para këtyre 28 pikave të kësaj rezolute është një shpjegim tepër i rëndësishëm se si ka qenë rrugëtimi i Kosovës, nga shpallja e pavarësisë, në procesin e integrimit evropian në procesin e dialogut etj.”, deklaroi mes tjerash Besnik Tahiri.

Ai më tej shprehu kritika ndaj LVV-së për mospjesëmarrjen e saj në seancë, derisa u shpreh se nuk është koha e betejës politike për pushtet, por, shtoi ai, qëllimi është që, si Kuvend, të bëjmë një veprim që, së pakut, të shprehim një falënderim e, po ashtu, të konfirmojmë një qëndrim politik në raport me Rezolutën e PE-së .

Ndërkaq në emër të PDK-së fjalën e mori deputetja Blerta Deliu-Kodra, e cila mbështeti nismën e AAK-së që, përmes një deklarate, Kuvendi i Kosovës  t’i japë mbështetje të plotë Rezolutës së PE të datës 19 tetor 2023, e cila dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit; kërkon që Serbia të bashkëpunojë në hetimin e kësaj ngjarjeje; bën përgjegjëse Serbinë për krejt çfarë ka ndodhur në Banjskë.

Ajo kritikoi institucionet e shtetit të Kosovës për moskapitalizimin e kësaj situate  që pozicioni ndërkombëtar i Kosovës të fuqizohet e të faktorizohet.

Ndërsa kryetari i GP të LDK-së, Arben Gashi, kritikoi sjelljen e partisë në pushtet, deputetët e kësaj partie, të cilët edhe në këtë seancë nuk po marrin pjesë.

Ai tha se është e paqartë sjellja e këtij pushteti, derisa sqaroi se kjo seancë është thirrur në dakordim të plotë më pushtetin.

Ai kritikoi procedurën, sjelljen e partisë në pushtet, që, sipas tij, është duke bërë një veprim politik gabimisht.

“Proceduar është gabim, sjellja politike është gabim dhe kemi një dokument për të cilin ne supozohet që do të duhej ta transpozonim, që ta bënim si dokument tonin dhe dukemi qesharak”, tha Gashi.