Në takim u bisedua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u veçua misioni bashkëzbarkues i Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe pjesëmarrja për tre herë radhazi si vend mikpritës në ushtrimin e madh ushtarak Defender Europe 25, që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku morën pjesë 25 mijë ushtarakë nga 29 vende aleate e partnere.

Temë tjetër e diskutimit ishte edhe bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar.

“Kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA-ja, për çka kongresistja Cammack e falënderoi, dhe për investimet e mëdha infrastrukturore në vend në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030, të cilat paraqesin një mundësi të mirë edhe për kompanitë amerikane”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Kurti dhe kongresistja Cammack gjithashtu folën për rrezikun e vazhdueshëm që paraqet Rusia për paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale.

Në këtë takim ishin edhe zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Ilir Dugolli.