Sipas MMPHI-së, në bazë të Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim, lejet ndërtimore ndahen në tri kategori. Për ndërtime të kategorisë I dhe II, përgjegjës janë komunat, ndërsa për ndërtime të kategorisë III, kompetenca i takon ministrisë.

Ndërtimet e kategorisë I përfshijnë objekte të vogla me ndikim minimal në mjedis, si shtëpi individuale banimi apo stalla. Kategoria II përfshin ndërtime më të mëdha si pallate banimi, shkolla, spitale komunale, hotele, si dhe objekte prodhuese e industriale të mesme. Kategoria III, për të cilën lejet i jep MMPHI, përfshin projekte me rëndësi kombëtare ose ndërkomunale si autostrada, hekurudha, aeroporte, hidrocentrale, termocentrale dhe objekte të sigurisë kombëtare.

Ministria thekson se në raport me ndërtimet e kategorive I dhe II, roli i saj është vetëm në trajtimin e ankesave në rastet kur palët janë të pakënaqura me vendimet e komunave. Në këto raste, MMPHI mund të aprovojë ose të refuzojë ankesën, ndërsa komunat kanë të drejtë të nisin procedurë pranë gjykatës kompetente brenda 30 ditëve.

“MMPHI nuk lëshon leje ndërtimi për kategoritë I dhe II, por vetëm për kategorinë III, dhe ushtron kompetencat e saj ligjore vetëm në kuadër të trajtimit të ankesave administrative”, thuhet në reagim.

Ministria ka bërë thirrje që akterët politikë dhe publikë të jenë të saktë në komunikimet e tyre, me qëllim që qytetarët të marrin informata të sakta për rolin dhe përgjegjësitë institucionale.